Shpati për Pavarësinë (Pjesa e Dyte)

…vazhdim.
Në 100 Vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Atdheut edhe shpatarakët kanë ç’të tregojnë dhe kanë pse të krenohen për veprat e stërgjyshërve të tyre në dobi të çështjes së madhe të Pavarësisë së Shqipërisë.Nga gojëdhënat dhe nga burime historike mësojmë se kur u bë beteja e Bushekut ndërmjet turqve dhe shpatarakëve,asnjërës palë nuk i buzëqeshi fitorja.Atëherë Sulltani tha:”Feth ollmady,feth ollmandy(edhe u pushtua,edhe s’u pushtua).Ushtria turke u vendos në Bushek dhe nuk u fut dot në krahinën e Shpatit.Kështu kjo krahinë gjatë periudhës së pushtimit osman nuk i zbatoi ligjet e administratës shtetërore osmane,por u qeveris me ligjet “e venit”,e drejta zakonore e Shpatit.Sipas zakonit të vendit organizimi administrativ dhe shoqëror ishte në bazë fshati dhe krahine.Secili fshat zgjidhte pleqësinë dhe kryeplakun,i cili përfaqësonte fshatin me fshatrat e tjerë dhe me administratën shtetërore.Zgjedhjet bëheshin në çdo pesë vjet dhe me ndërrime.Zgjidheshin ata që kishin merita dhe aftësi drejtuese dhe jo sipas moshës dhe pasurisë.Si krahinë zgjidheshin përfaqësues nga fshatra të ndryshme sipas kritereve të zgjedhjeve në fshatra.Nuk ekzistonte organizimi në fise dhe bajraqe. Për pese shekuj me radhë shpatarakët kundërshtuan në forma të ndryshme pushtimin osman.Kështu ata ishin të gatshëm të rroknin armët për t’u çliruar nga pushtuesit,duke dhënë fjalën e tyre me anë të përfaqësuesve si:”prift Gjon Gjindela,Dhimitri Protonotari,Marin Mashi,Andon Dorza,pleq e krerë të parë të krahinës së Shpatit,dhe krerë të tjerë “, në kishën e Shën Lleshdrit të Dukagjinit në shkurt të vitit 1602.(Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë vëllimi II(1593-1602),Dok.nr.183, Dukagjin 15 shkurt 1602 fq.271).Në vitin 1700 nga fermani i nxjerrë nga sixhilet e sheries së Beratit,ku bëhet fjalë për fillimet e një levizje antiosmane në Shqipërinë e jugut, mësojmë se ndërmjet krahinave të tjera është edhe krahina e Shpatit.(AQSH,F.128,D.2,fq.11-12 dhe D.10,fq.13).Në vitin 1701 informohemi nga fermane dhe hyxhete të nxjerra nga sixhilet e sheries së Beratit,ku ndër të tjera,bëhet fjalë mbi rezistencën e blegtorëve të Korçës,Oparit,Starovës dhe Shpatit për mospagimin e taksave të tepërta mytesarifit të Vlorës.(AQSH,F.128,D.21,fq.1,30).Po kështu në fermanin e vitit 1716 flitet për pengesat e hasura për mobilizimin ushtarak në kazanë e Shpatit.(AQSH,F.128,D.8,fq.31-32).Në vitin 1737,në një fletore me karakter epistolar,ku ndër të tjera bëhet fjalë për mbledhjen etaksavetë prapambetura në kazanë e shpatit të Elbasanit… (AQSH,F.143,D.202,fq.15)Përballjet e shpatarakëve me turqit vazhduan pa ndërprerje deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Elbasanin gjeti në Shpat një vatër të ndezur të luftës për liri dhe pavarësi.Ajo u mbështet fort dhe bashkëpunoi me krerët patriotë shpatarakë.Në vitin 1880 vullnetarë nga Shpati,në përgjigje të thirrjes së Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë,shkuan dhe luftuan në mbrojtje të Ulqinit.

Pic1
Rilindas shpatarakë (Piktor Jakov Ziu)

Shpatarakët kur kërkohej të paguanin taksa, e paraqitnin veten si myslimanë dhe kur paraqitej kërkesa për rekrutimin në sherbimin ushtarak,deklaronin se ishin të krishterë.Kështu gjatë shekujve të sundimit osman,shpatarakët e kundërshtuan administratën osmane në forma e mënyra nga më të ndryshme,deri në përpjekje me armë.Administrata turke e Elbasanit ndërmori masa shtërnguese dhe ekspedita ndëshkuese ushtarake ndaj tyre për t’i nënshtruar,të paguanin taksat dhe të ktheheshin në fenë myslimane.Duke filluar nga vitet tridhjetë të shek.XIX,shpatarakët kërkuan haptazi dhe me këmbëngulje për t’u njohur si të krishterë.Kundërshtonin pagesën e taksave,kërkonin çeljen e shkollave në gjuhën shqipe.Në rrugë diplomatike ata arritën që të angazhonin edhe politikën e jashtme të mjaft shteteve evropiane për zgjidhjen e problemeve që shqetësonin shpatarakët,si Anglia,Greqia,Austro-hungaria,Rusia,Italia,Franca etj.Vlen të theksohet se në Shpat në fillimet e myslimanizimit të banorëve,vetëm kryefamiljari kishte dy emra,një myslim për tu njohur në administratën dhe emrin orthodoks në familje dhe shoqëri.Më vonë edhe pjestarët e tjerë njihen me dy emra.Gjatë kësaj periudhe kryheshin të gjitha ritet e besimit orthodoks. Duke iu referuar studjuses E.Nikolaidou,e cila mbështetet tek Kozma Thesprotoj:”Më 1832 administrata u kërkoj ti bëjë myslimanë të rregullt,këta(shpatarakët,-F.B) shpejtuan të heqin mbulesën e myslimanizmit duke thënë se ishin dhe janë të krishterë po që në kohëra të tjera nuk mund ta bënin,kurse situata aktuale e administratës,e cila parashikon dhe len nënshtetasin të lirë të besojë ç’të dojë… Kështu u detyruan të paguajnë taksat e të mos quhen më turq”.Në të vërtetë shpatarakët shfrytëzuan situatën e krijuar për të realizuar kërkesën e kahershme të tyre për njohjen si të krishterë,por jo për pagesa të taksave dhe pa hequr dorë nga lufta kundër pushtuesit osman.Më poshtë vazhdon dëshmia e Thesprotojit:”Më 11 tetor 1832,epitropi i mitropolitit të Beratit në Elbasan Johan Popa, dhe pesë priftër;papa Jorgji,papa Joasafi,papa Jani,papa Nikolla dhe papa Jani Leka,iu drejtuan me letër mitropolitit të Beratit Joasaf dhe i transmetuan dëshirën e banorëve të fshatrave të Shpatit:(Jeronishti,Selta,Nezhari,Zavalina, Pashtreshi,Zibreshi,Valshi,Brezhdani,Sterstani,Shilpatra,Shelcani,Kryezjarri),që donin të shfaqnin besën e tyre të vërtetë.Në letër i luteshin që të kujdesej për të plotësuar kërkesën e shpatjanëve.”(E.Nikolaidou.KriptokristianëteShpatit.Janinë,1979.Arkivi Etnografisë.I.K.P.fq160). Kjo kërkesë e shpatarakëve bëri që vetë mitropoliti Joasaf të vinte në Elbasan dhe të takonte autoritetet qeveritare,të cilët i premtuan nxjerrjen e një fermani,me anë të cilit do të bëhej ndërrimi i emrave të tyre nga mysliman që ishin regjistruar më parë në emra orthodoksë.Naty-risht që ky premtim nuk u mbajt nga autoritetet qeveritare të Elbasanit.Me aktin e Gjylhanesë të 3 nëntorit 1839 fillojnë zbatimin reformat apo rregullat e reja,që njihen me emrin Tanzimat të cilat nuk u pritën mirë nga shqiptarët dhe në shumë krahina zbatimi i tyre u prit me kryengritje të armatosura sepse ajo i mohonte shqiptarëve kombësinë,të drejtën për arsim dhe shkollën amtare,nuk lejonte as ndonjë lloj forme qeverisje lokale,rritej shtypja administrative dhe ushtarake,regjimi fiskal bëhej i padurueshëm dhe shtohej shërbimi i rëndë ushtarak shumëvjeçar.Në vitet 1845-1846 u bënë përpjekje për regjistrimin me emra orthodoksë,por rezultatet ishin të pakta.Deklaruan regjistrimin me emra orthodoksë vetëm disa familje të fshatrave Zavalinë dhe Pashtresh.Në situatën e krijuar shpatarakët formuan një komision prej krerëve pleq,që të shkonin në Berat për tu takuar me mitropolitin Joasaf,t’i kërkonin atij,që të ndërhynte për çlirimin e shpatarakëve nga rekrutimi ushtarak.”Komisioni përbëhej nga antarët:Zuko Trepsenishti,Sali Binjaku,Alush Leka,Ismail Kadiu dhe Sul Panxhi”.Ky i fundit nuk vajti për arësye se u angazhua me organizimin e qëndresës së armatosur ndaj autoriteteve qeveritare turke të Elbasanit të shoqëruara nga forca të armatosura për të bërë rekrutimin me dhunë të shpatarakëve.(E.Nikolaidou.Kriptokristianë të Shpatit.Janinë,1979.Arkivi i Etnografisë I.K.P. fq.172)Kërkesa e 30 majit 1847 dorëzuar Reshit Pashes,megjithëse në fillim tregoj interes,ashtu si kërkesa e vitit 1832 nuk u realizua.Në vitin 1856 me lëshimin e urdhërit të Hatt-i Human të sulltan Abdyl Mexhitit,shpatarakët besuan tek e drejta e shfaqjes së lirë të besimit fetar.Në njoftimin e datës 4 maj 1856, që bën mitropoliti Aleksudhi në lidhje me emërimin e dy priftërinjve të Shpatit del se krerët e kësaj krahine njihen me emra të krishterë.”Krerët që referohen në letrën e tij ishin pesë:Marko Panxhi,Gjik Leka Nikolla Kamami,Jorgji Susami dhe Kostandin Qose. “(E.Nikolaidou.KriptokristianëteShpatit. Janinë,1979.Arkivi Etnografisë.I.K.P.fq.190).Megjithse për herë të parë krerët e Shpatit dalin me emra të krishterë,zyrtarisht shpatarakët nuk njiheshin të krishterë.Në situatën e krijuar ata po e humbnin besimin tek përkrahja e kishës orthodokse dhe ishin në kërkim të një fuqie të madhe evropiane për t’i ndihmuar.Në maj të vitit 1857 një përfaqësi e krerëve të Shpatit shkojnë në Manastir për të takuar konsullin e Britanisë së Madhe.Ata i kërkuan konsullit që të ndërhyjë pranë Portës së Lartë që t’i njihte shpatarakët të krishterë.Konsulli u premtoj se do t’i ndihmonte që të njiheshin të krishterë dhe të ushtronin të drejtat e tyre në lidhje me besimin fetar të tyre.Ndërhyrja e konsullit të Britanisë së Madhe nuk dha rezultatet që priteshin.Kërkesa e shpatarakëve nuk u plotësua,prandaj ata i vazhduan përpjekjet edhe ne vitet ne vazhdim.Në vitin 1882,nëpunësit e administratës turke vijnë në Shpat për të regjistruar popullsinë me emra myslimanë duke u bazuar në të dhënat e viteve të mëparshme.Për ngjarjet e viteve 1882- flasin dokumenta të shumta të përfshira në katalogun sistematik për vitet 1882-1912 ku, ndërmjet të tjerave janë vendimet e këshillit administrativ të kazasë së Elbasanit,korespodenca të ndryshme me qytete të tjera,si dhe regjistër mbi regjistrimin e popullsisë së Shpatit,Ҫermenikës etj. për efekt të rekrutimit dhe lutje të personave të ndryshëm për përjashtimin e tyre nga shërbimi ushtarak.(AQSH.F.113.D.I,II,III).Shpatarakët jo vetëm që nuk u regjistruan me emra myslimanë,por dërguan përfaqësinë e tyre tek mytesarifi i Elbasanit për të kundërshtuar regjistrimin si myslimanë.Isuf(Jorgji)Qosja deklaroj para autoritetit qeveritar se quhet Jorgji dhe jo Isuf.Për këtë deklaratë Isufi u arrestua sëbashku me krerët e tjerë shpatarakë.Në librin”Kriptokristianët e Shpatit”,kapitulli III,autorja E.Nikolaidou sjell fakte të dokumentuara se në vitet në vazhdim 1887-1900 ekspeditat ushtarake turke vazhdonin reprazaljet në krahinën e Shpatit për t’i nënshtruar.T’i detyronin që të kryenin shërbimin ushtarak dhe të paguanin taksa.Këto ekspedita,të cilat me qëllim të caktuar kryheshin në muajt maj- qershor,sillnin pasoja të rënda ekonomike sidomos në drithërat e bukës.Ato me gjithë terrorin e ushtruar nuk arritën qëllimin e nënshtrimit. Përkundrazi e acaruan më shumë situatën. Kërkesat e vazhdueshme drejtuar mitropolisë dhe patriarkanës nuk po sillnin rezultatet e pritura.Shpatarakët po kërkonin rrugë të tjera për plotësimin e kërkesave të tyre.Ata iu drejtuan me anë të një komisioni përfaqësues konsullit grek të cilit i dorëzojnë kërkesën për t’ja transmetuar ambasadës që të ndërhyjë pranë Portës së Lartë për të ndalur dhunën ushtarake ndaj shpatarakëve dhe t’u njiheshin të drejtat që u takonin për t’u regjistruar orthodoksë,ashtu siç kishin qenë në kohët e mëparshme.Një nga ekspeditat ndëshkuese ushtarake më të egra gjatë këtyre viteve,që ka lënë gjurmë në kujtesën popullore është ajo e majit të vitit 1894.Qëllimi ishte eleminimi i një prej krerëve kryesorë të qëndresës shpatarake Jorgji Qoses dhe nënshtrimin përfundimtar të tyre.Përfundimi qe i turpshëm për asqerët turq.Për një kohë shumë të shkurtër çetat e fshatrave të tjerë u gjendën përkrah çetës së Jorgji Qoses në Zavalinë.Ja si e kujton populli këtë luftë nëpërmjet vargjeve të këngës popullore:

pic2


Shpatarakët janë ba bir

Bije shi, bije rafmet,
qenka thanë të bajmë dyfek,

t’bajmë dyfek me asqer dovlet.
Mu ke sopi,ke Dyqani,
vinë asqeri na Elbasani,
Isuf Qosja,trim i thatë,
ban dyfek fillikat;
s’i majti shum,veç dy sahat,
sa ju mshtullën shpatarakt.
-Veli Tabak,o linjëgjatë,
nuk ke parë ti shpatarakë!-
Ky zabiti,ky evgjiti,
nuk ka parë ky pushk komiti.
Vajt haberi në Manastir:
-Shpatarakët janë ba bir!-
Kozlla shkroi na Manastiri:
-Shpatarakët mo m’i ngini!-

Kënduar në Seltë-Shpat.(Këngë popullore historike 1878-1912 Instituti i folklorit Tir.1962 fq.48).

Në gusht të vitit 1895,meqenëse nuk u arrit asnjë rezultat nga premtimet e dhëna prej konsullatës greke dhe mitropolisë së Beratit për të ndërhyrë pranë Portës së Lartë për zgjidhjen e çështjes së Shpatit,komisioni përfaqësues i shpatarakëve iu drejtua konsullatës ruse në Manastir,së cilës i parashtroj kërkesën e tij.Më 1 shtator 1895 konsulli rus i Manastirit i dërgon një raport Carit të Rusisë Z.Aleksandër Ivanoviç Romanov,ku ndër të tjera flitet për venbanimin dhe problemin që kërkonin të zgjidhnin shpatarakët,të cilët gjithmonë kanë qenë të krishterë orthodoksë dhe se këtë besim e kanë ndjekur fshehurazi,tani kërkojnë të deklarohen haptazi të besimit orthodoks.”…Në fillim të vitit 1882 organet e pushtetit në Elbasan bënë regjistrimin e popullatës dhe i bënë thirrje popullit të Shpatit që të regjistroheshin edhe banorët e kësaj krahine.Ateherë i njohuri me emrin Isuf Qose deklaroi se ai është i krishterë dhe quhet Jorgji,dhe se në emër të banorëve të 20 fshatrave të malit të Shpatit,kërkoi që ata të regjistroheshin si të krishterë.Kjo deklaratë formale e tërboj kajmekanin,i cili urdhëroj menjëherë që të arrestohej Qosja bashkë me ata që i shkojnë pas.Por pastaj i liroi ata duke i bindur që të mendohen e t’i venë gishtin kokës.Pasi u lirua, Qosja me të tjerët u nisën për në Berat ke mitropoliti dhe nëpërmjet tij i dërguan telegrame Portës dhe Patriarkut të përgjithshëm në Stamboll duke u lutur që ata t’i mbrojnë dhe të pranojnë fenë e tyre të krishterë.Porta i pranoj kërkesat e tyre dhe i liroi banorët e Shpatit nga shërbimi ushtarak,të cilin ata e kryenin më parë.Një zhvillim i tillë pozitiv i situatës i zgjoi banorët e 40 fshatrave të malësisë së Vërçës të cilët vendosën të ndjekin shembullin e banorëve të Shpatit dhe filluan të propagandojnë midis popullit idenë e kalimit nga myslimanizmi në kristianizëm.Pasi mori vesh këtë lëvizje pushteti vendor vendosi të asgjësojë rrënjën e kësaj lëvizje dhe për këtë qëllim,pasi thirrën me ndonjë pretekst Qosen,e arrestuan,e lidhën me zinxhirë dhe e nisën në burgun e Dibrës.Zyrtarisht i deklaruan se kjo masë kundër tij u muar jo për kalimin në krishterim,por për pjesmarrje në banda hajdutësh dhe kjo i thuhej në një kohë kur dihej se ai asnjëherë nuk kishte marrë pjesë në banda hajdutësh.Pavarësisht nga kjo,Qosja u dërgua në Erzerum(Turqi),ku qëndroi në internim 7 vjet dhe me kthimin në shtëpi mbështeti si dhe më parë ke bashkëfshatarët e tij zilinë për krishterimin,si rezultat i kësaj kaloi në opozitë të hapur me mytesarifin Isuf -Efendinë,fanatikun dhe renegatin,i cili dëshironte me çdo kusht t’i regjistronte myslimanë banorët e Shpatit,por pa sukses,sepse ata qëndronin fort në besimin e krishterë.Në mars të këtij viti mytesarifi e futi në burg Qosen dhe tre pleqtë më me influencë,i mbajti ata dy muaj nën arrest,i liroi pastaj nga burgu me kusht që ata brenda një afati 6 javor ta bindnin popullatën të kalonon në fenë myslimane.Por ata as që mendonin ta bënin një gjë të tillë dhe,me kalimin e afatit të caktuar,jo vetëm që nuk u paraqitën në Elbasan,ku i priste burgu,por pasi mblodhën edhe përkrahës të tjerë kryesorë u fshehën në male ku ata nuk mund t’i gjenin për t’i arrestuar zaptijet e dërguar për këtë qëllim.I tërbuar nga dështimi i tij,mytesarifi ka filluar të përdorë tani mjete të tjera dhe përpiqet t’i kompromentojë,duke i akuzuar për krime të ndryshme penale,kështu që të ketë mundësi të marrë masa vendimtare për shfarosjen e të krishterëve të urryer prej tij.Duke parë gjendjen e tij të dëshpëruar,Qosja dhe parija tjetër,vendosën të drejtohen tek unë,duke kërkuar mbrojtje prej persekutimeve që u bëjnë myslimanët për shkak të besimit orthodoks dhe për këtë qëllim kanë dërguar këtu Spiridon Athanasin prej qytetit të Kavajës që më ka dorëzuar lutjen që po ja bashkangjis këtij relacioni.”(AQSH.F.143,V.1895,D.892,fl.1-8,Përktheu nga rusishtja Spiro Dedja).Deri në mars të vitit 1896 asgjë nuk ndryshoj,prandaj prap krerët e Shpatit u gjendën në Manastir për të këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre sipas premtimeve të konsullit rus Rostovski.Në shtator të vitit 1897 të zhgënjyer nga qëndrimi i rusëve,shpatarakët iu drejtuan një tjetër fuqije të madhe evropiane,Austrisë.Ja ç’thuhet në informacionin e konsullit Kral i Manastirit drejtuar ministrisë së punëve të jashtme të Austrisë cituar nga Nos Shpati në monografinë”Isuf Qosja i Shpatit”Tir.2001,fq.100:”Isuf Qosja nga Zavalina,Jonuz Topuzi nga Shelcani,Sul Ҫipi nga Nezhari,si dhe arkimandriti Germanos(papa Jorgji nga Elbasani),pas takimeve që kishin bërë me përfaqësues të diplomacisë së Vjenës dhe emisarë të kishës katolike,si dhe nën ndikimin e klerit katolik shqiptar(që kërkonte të forconte pozitat e tij në qytetin e Elbasanit dhe të përhapte fenë katolike edhe në fshatrat e krishterë të Shpatit të Parë e të Dytë),shkuan në Peshkopatën katolike të Durrësit dhe i paraqitën kryepeshkopit Bianki dokumentat e nenshkruara në formë autentike prej parisë së katundeve të Shpatit dhe të vulosura nga kryepleqtë,që deklaronin se njihnin Papën si të parë feje.”Në situatën e krijuar në Shpat,pas kërkesës për kalimin me Papën e Romës,ambasada ruse e Stambollit urdhëroj konsullin e Manastirit të shkojë në Shpat,të takojë krerët dhe vetë banorët,të bisedojë për problemet dhe kërkesat e tyre,të shohë gjendjen reale dhe të raportojë tek ambasadori.E.Nikolaidou thotë se në fund të shkurtit 1898, konsulli mbrriti në Elbasan,ku u takua me mitropolitin e Beratit Doroteun,i cili kishte thirrë krerët e Shpatit,për t’u njohur me situatën dhe nuk ishte i gatshëm për të vizituar krahinën.Konsulli Rostovski kaloi nga fshati në fshat duke parë e dëgjuar jo vetëm krerët,por dhe banorët e krahinës.Në përfundim të vizitës arriti në marrëveshje me krerët,të cilën ia paraqiti ambasadorit në Stamboll.Marrëveshja përmbante:-Rusia do të sillte në Elbasan një përfaqësues konsullate.Patriarkana Ekumenike do të plotësonte numrin e nevojshëm të priftërinjve shqipfolës për krahinën e Shpatit dhe do forconte shkollat greke.Do të përpiqeshin sëbashku që të detyrohej qeveria turke të njohë fshatrat e Shpatit si orthodoksë e të pushojë kërkimin e pagimit të taksave ushtarake.Lidhja Shqiptare e Pejës,janar 1899,ose siç u quajt”Besa-Besë”u dha prap shpresë shpatarakëve për të arritur qëllimet e tyre,çlirimin nga sundimi otoman,por siç mësojmë nga informacioni i konsullit të Austrisë në Manastir:”…Keq shkoi puna e shpatarakëve,të cilët patën dëshirë,që me rastin e vendimeve të Lidhjes,t’i pezullonin hakmarrjet,të paktën për disa kohë,dhe për disa që bëheshin ndjekje,të nxiresh falja e tyre.Mytesarifi bëri përgjegjës shumë krerë,dhe katër prej tyre i hodhi në burg(Mehmet Merxhanin nga Polisi,Omer gaxhon nga Shushica,Qorr Topuzin nga Shelcani dhe Braho Kadiun nga Shtërmeni,kurse Isuf Qosja që përmendesh gjithashtu dhe që është një kryeagjent i partisë ruse,ishte arratisur tek mbrojtësi i tij konsulli Rostovski në Manastir.Ka shumë probalitet,që akordi i krijuar për shkak të besës midis të krishterëve dhe myslimanëve në Shpat,të mos i përshtatet qëllimit fanatik të qeverisë.Të arrestuarit në fjalë pas 14 ditëve u lanë të lirë,kundrejt dhënies së garancive.(Kral konsulli i Austrisë në Manastir.Manastir,më 2 korrik 1899. Nr.protokollit 1699/1 20.07.1899.Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë). Gjendja e krijuar në vitin 1899 dhe rreziku i kalimit në unitë të shpatarakëve,detyroj prapë konsullin rus të Manastirit që në fund të muajit prill 1900 të nisej për herë të dytë për në Shpat.Këtë herë ai nuk kaloj në gjithë fshatrat,por e realizoj takimin me krerët në fshatin Shelcan.Ja si e përshkruan konsulli austriak Kral në raportin drejtuar Shkëlqesisë së tij Kontit Fon Goluchowskit,ministër i jashtëm:”…Për ditën e diel të datës 13 maj ishte caktuar një takim i parisë së Shpatit me konsullin dhe peshkopin në fshatin e Shpatit Shelcan,që është një orë larg nga Elbasani,ku kishin arritur dhe të deleguarit e shumë fshatrave.U vu re mungesa e Shtërmenit,pastaj ardhja me vonesë e Sulo Ҫipit si dhe Rrahman Dedes nga Nezhani dhe e Jusuf Panxhit nga Valëshi.Kur erdhën ata,imzot Prokopi i përshëndeti me dy të shtëna pushke,që për një peshkop ishte një veprim djaloshar dhe që fshatarëve nuk u erdhi fare mirë.Nga bisedimet nuk u zbatua asnjë vendim i përbashkët,sadoqë konsulli ushtroi një presion të fortë me anë dhuratash,premtimesh,shpifjeve të ulta e të tjera si këto që u bënë mbi fshatarët të cilët gabohen jo pa vështirësi.Ai tregoi se kishte ardhur me pëlqimin e qeverisë turke dhe me autorizim të Carit.Disa personave ai u siguroj konfidencialisht,se në një të ardhme të afërt pjesa e vendit në jug të Shkumbinit do t’i binte Greqisë,pjesa në veri të Shkumbinit Malit të Zi dhe pjesa lindore Bullgarisë.Askush të mos mendojë për Austrohungarinë,ditët e së cilës janë të numëruara.Ajo ekziston vërtet akoma sot,por nesër ndofta jo më…Për të zbuluar më imtësisht mendimin e vërtetë të shpatarakëve,Selman Blloshmi, foli dhe me disa prej tyre,kështu me Rustem dhe Jusuf Panxhin nga Valëshi,me të dy krerët më të rëndësishëm të të gjithë Nahijes,Sulo Ҫipin nga Nezhani,Braho Kadiun nga Shtërmeni dhe prej këtyre bisedimeve nxori rishtas bindjen se konvertimi (kthimi) në katolicizëm është preferuar për shkak të lëvrimit të gjuhës amtare.(Arkivi iInstitutit të Historisë Tiranë.Arkivi i Vjenës.Nr.29/sekret.protokolli 06/06/1900,Manastir).Për t’iu kundërvënë politikës austriake për Shpatin,konsulli rus në këtë takim shpalos politikën e Rusisë ndaj vendit tonë,politikë e cila në bashkëpunim me Greqinë dhe shtetet sllave fqinje,planifikonin copëtimin e Shqipërisë,që ishte në kundërshtim të hapur me luftën që bënin rilindasit për pavarësinë e Shqipërisë.Nga viti 1901 e deri më 1910,ekspeditat ushtarake për të nënshtruar shpatarakët,për t’i regjistruar ata si myslimanë dhe për të vjelë taksat nuk pushuan.Pas fitores së revolucionit xhonturk,më 23 korrik 1908,rreth 40 shpatarakë të udhëhequr nga Ymer Dervishi shkuan në Elbasan në zyrën e regjistrimit të administratës turke,ku u regjistruan me emra të krishterë.Nga nëntori i vitit1909 e deri në janar të vitit 1910 vazhduan regjistrimet e popullsisë,të cilat në krahinën e Shpatit u shoqëruan me dhunë,plaçkitje dhe burgosje të popullsisë nga administrata turke,si kundërpërgjigje ndaj regjistrimit të popullsisë me emra të krishterë.Këtë e dëshmon dhe ngjarja e fshatit Seltë ku pati një rezistencë me arme nga fshatarët,që kundërshtonin regjistrimin me emra myslimanë.Isuf Kasa qëlloj me pushkë ndaj të dërguarve të administratës turk për të bërë regjistrimin e popullsisë me emra myslimanë.Këtë akt këngëtari popullor Tasi Karaj e interpreton me këto vargje:U mblodh fshati te selvitë,
Isuf Kasa,djal’ i ri,(Refreni)
burra,gra,pleq e fmi,
se do vin’ nafusçitë,
të ndryshojn orthodoksinë.
U zun pritat,u zun pusitë,
se në Shpat nuk ka ndryshi.
Atje te Rrypa,mbi mulli,
zbraze pushkën,i pari Ti.
Nafusçit morë arratin.
Duke marrë shkas nga rezistenca e armatosur e fshatarëve të Seltës,administrata turke bëri arrestime të gjithë krerëve të krahinës si kundërpërgjigje dhe i dënoi ata me burg.Për këtë bën fjalë vendimi i gjykatës penale të Elbasanit me nr.22 datë 30/03/1910,i cili dënon me 6 muaj burg për shkelje të nenit 113/3: 1.Isuf kasa(autori që qëlloi me pushkë) 2.Hasan Bërdufi 3.Osman Ranxha 4.Isuf Panxhi 5.Kasem Toçi 6.Isuf Qosja 7.Isuf Ranxha. U dënuan me 3 muaj burgim për shkelje të nenit 99: 1.Hasan Kavaja 2.I. Kavaja 3.Sulejman Kavaja 4.Hysen Ranxha 5.Osman Nosi 6.I.Ranxha 7.Haxhi Myftar Ranxha 8.Hasan Dervishi 9.Omer Dervishi 10.Sul Panxhi 11.Kodhel Dedja,kurse i arrestuari Ismail Shati u lirua nga gjykata,mori pafajësinë.Nga 18 veta,11 u dënuan në mungesë.Kundër këtij vendimi,myftarët e gjithë fshatrave të Shpatit vulosën një peticion dhe ia dërguan Vezirit të Madh,Ministrisë së Drejtësisë,Kryetarit të Parlamenti dhe Valiut të Manastirit. (E.Nikolaidou.Kriptokristianë të Shpatit.Janinë,1979.Arkivi Etnografisë I.K.P. fq.525).

pic3
Të burgosur shpatarakë(Nxjerrë nga arkivi i Muzeut Etnografik Elbasan)

Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në vitin 1911 në krahinën e Shpatit vepronin disa çeta të armatosura antiosmane,nga të cilat janë më të përmendura çeta e Isuf Qoses në Zavalinë,çeta e Jonuz Topuzit në Shelcan,çeta e Ymer Dervishit në Valësh,çeta e isuf Panxhit në Valësh.Për t’i bërë balle presioneve e dhunës së ushtruar nga administrata turke ç’do fshat kishte dhe organizimin ushtarak,ku pjestarët e çdo çete,posa jepej sinjali për të mbrojtur banorët e fshatit apo krahinës,linte veglat e punës dhe merrte armatimin e rreshtohej menjëherë në formacionin luftarak.Komandanti i çetës që udhëhiqte këtë formacion luftarak kishte cilësi të spikatura të përgatitjes dhe drejtimit ushtarak.Ai zgjidhej nga pjestarët e çetës në bazë të këtyre cilësive dhe nuk ishte i përhershëm dhe i trashëgueshëm.Ky rregull ishte jo vetëm për fshatin,por edhe në rang krahine,prandaj drejtimi i krahinës kalonte nga një fshat në tjetrin,nganjë komandant në tjetrin.

pic4
Ҫeta e Valshit (Isuf Panxhi dhe vëllezërit viti 1907) nxjerrë nga arkivi i Muzeut Etnografik Elbasan.

Ashtu si gjithë shqiptarët dhe shpatarakët patën besim dhe shpresë në realizimin e premtimeve të turqëve të rinj për liri ,barazi dhe demokraci për gjithë popujt e perandorisë Osmane.Menjëherë pas shpalljes së Hyrjetit,në tetor 1908 çelen zyrtarisht shkollat shqipe në gjithë krahinën e Shpatit,nga Shtërmeni e deri në Zavalinë me mësues vendas,Dyl Dervishi,Bim Panxhi,Kodhel Dedja,të cilët kishin mësuar shqipen fshehurazi.Mësimi i shqipes fshehtazi në Shpat i ka fillesat e tij qysh në vitet ’70 të shek.XIX.Kjo është një meritë e krerëve dhe popullsisë së zonës,të cilët dhe sot e kësaj dite janë arsimdashës.Qëndrimet e turqve të rinj ndaj lëvizjes Kombtare Shqiptare rriti më shumë pakënaqësinë në popull,ndaj taksave dhe shërbimit të detyruar ushtarak.Ҫetat e armatosura të Shpatit zhvilluan veprimtarinë e tyre luftarake në bashkëpunim dhe koordinim me komitetin”Për Lirinë e Shqipërisë”.”Në pranverë të vitit 1911 në Shtërmen krijohet Komiteti i Fshehtë me drejtues Nexhip Haxhiademi,Refik Myftiu,Hysen Ceka, Ymer Dervishi etj.”(Elbasani Enciklopedi L.V. fq.101).Ky komitet kishte për qëllim të koordinonte veprimet luftarake të çetave që vepronin brenda Qarkut të Elbasanit dhe njëkohësisht të bashkëpunonte edhe me Komitetet e qyteteve të tjerë si Korça,Manastiri etj.
Filip Bërdufi

©Copyright 2013 FILIP BERDUFI All Rights Reserved.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: